Qendra AgriBelsh ofron shërbime marketingu dhe përgatitje të produktit për treg. Produktet e të njëjtit lloj dhe cilësi përzgjidhen, përgatiten, paketohen për treg, duke përdorur markën lokale. Kjo do të bëhet si për produktet organike ashtu edhe për ato jo organike. Shitja në sasi të mëdha, nën një markë të promovuar dhe me cilësi të certifikuar, rrit vlerën e produkteve dhe do të sigurojë kthim për fermerët.
Mungesa e marketingut dhe e kapaciteteve për të dalë në treg ka bërë që ndër vite ekonomia bujqësore e zonës të mos zhvillohet me potencialin e vet të plotë. Sasitë e vogla dhe të fragmentuara të prodhuara prej tyre dhe distanca e gjatë nga qendrat e grumbullimit, nuk kanë lejuar përmirësimin e aksesit në treg. Kjo ka minuar më tej fuqinë e tyre negociuese dhe kthimin dhe qëndrueshmërinë e tyre ekonomike.
AgriBelsh me shërbimet e veta pranë fermerit të zonës synon të korrigjojë edhe këtë mangësi. Kështu produktet e zonës do të shfrytëzojnë potencialin real të tyre duke forcuar identitetin vendas të produktit, për të konkurruar me sukses në tregjet e brendshme dhe, më tej, në ato ndërkombëtare, nën një markë apo grup. Për këtë qëllim, AgriBelsh ka kryer tashmë studimin e potencialeve dhe do të zbatojë strategjinë përkatëse të marketingut.
