Qendra Agribelsh ka në fokus të veçantë bujqësinë organike. Ajo ka si strategji dhe objektiv shtimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë organike, duke siguruar një treg afatgjatë për këto produkte dhe gjithashtu promovimin e tyre. Kjo do të përmirësojë ndjeshëm imazhin dhe perceptimin e produkteve të zonës përtej edhe produkteve bujqësore.
Produktet organike janë ato produkte që rriten në mënyrë natyrale dhe nuk përmbajnë përbërës kimikë artificialë. Ato kanë ndikim të madh dhe pozitiv në shëndetin tonë mendor dhe emocional, si dhe në mjedis, duke siguruar qëndrueshmëri të aktivitetit ekonomik. Në këtë kuadër, AgriBelsh ndjek edhe udhëzimet dhe praktikat më të mira të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. AgriBelsh bashkëpunon rregullisht me organizata dhe shoqata që janë aktive në këtë fushë.
Produktet organike kanë një impakt direkt në përmirësimin e shëndetit dhe të mjedisit. Ato janë më të freskëta sepse nuk përmbajnë konservues që t’a bëjnë atë të zgjasë më gjatë. Ushqimet organike përmbajnë lëndë ushqyese të dobishme dhe shumica e simptomatve të njerëzve me alergji ndaj ushqimeve, kimikateve ose konservuesve, pakësohen ose largohen kur ata konsumojnë vetëm produkte organike.
Gjithashtu, praktikat e bujqësisë organike zvogëlojnë ndotjen, kursejnë ujin, zvogëlojnë erozionin e tokës, rrisin produktivitetin e tokës dhe shpenzojnë më pak energji. Bujqësia pa pesticide është gjithashtu më e mirë për zogjtë dhe kafshët, si dhe për njerëzit që jetojnë pranë fermave, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrushëm dhe ruajtjen e mjedisit dhe biodiversitetit.
